Nikolic, Ashtonit: Serbia kurrë s’do ta pranojë Kosovën
Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton sot në Beograd ka përshëndetur përparimin e arritur në bisedimet me Kosovë dhe ka theksuar se ka qenë e kënaqur kur anëtarëve të BE-së iu ka prezantuar atë përparim, si dhe atë që ka mundur të thotë se ekzistojnë rezultate konkrete në implementimin e marrëveshjes së Brukselit.
“Dje, për herë të 13-të kam takuar kryeministrat Dacic dhe Thaçi dhe do t’i takojë sërish, bisedimet do të vazhdojnë në javën dhe muajt para neve. Nuk do të ketë pushim veror për të gjithë, sepse duhet të tregojmë përparim”, ka thënë Ashton, pas takimit me presidentin e Serbisë, Tomislav Nikolic dhe kryeministrin Ivica Dacic, transmetojnë mediat serbe.
Ajo ka shtuar se është e kënaqur që Serbia po përgatitet për negociata të përshpejtuara për anëtarësim, duke theksuar se edhe BE-ja po e bënë pjesën e saj të punës.
Në anën tjetër presidenti serb, Nikolic ka deklaruar se Serbia vazhdon me temp të njëjtë në përmbushjen e obligimeve që i ka marrë nga BE-ja, por edhe ndaj qytetarëve të vet kur bëhet fjalë për jetë më të mirë.
Nikolic ka thënë se është folur për të gjitha problemet dhe se baroneshën Ashton e ka njoftuar se çfarë mund të bëjë Serbia bazuar në vullnetin e qytetarëve.
Ai ka shtuar se shefes së diplomacisë evropiane i ka thënë edhe një herë që Serbia kurrë nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës dhe se ajo ia ka kthyer atij se këtë në BE e dinë dhe se askush nga Serbia nuk po kërkon pranimin e Kosovës